Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për zjarrvënie në një autoambulancë të Qendrës së Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Ratkoc, komuna e Rahovecit.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 02:40, Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar informacion për një incident zjarri. Njësitet policore, në bashkëpunim me zjarrfikësit, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku zjarri kishte përfshirë dhe djegur një autoambulancë të QMF-së, duke shkaktuar dëme materiale edhe në objektin e kësaj qendre shëndetësore.
Policia ka bërë të ditur se zjarri është lokalizuar me kohë dhe nuk ka pasur të lënduar. Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Zjarrvënie”.
Pas veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave në vendin e ngjarjes, është identifikuar një person i dyshuar. Më vonë, rreth orës 18:50, zyrtarët policorë nga Stacioni Policor në Gjakovë kanë arrestuar të dyshuarin me inicialet H.H., mashkull i moshës madhore, në afërsi të pikës kufitare “Qafë Prush”.
Gjatë arrestimit, i dyshuari ka tentuar t’u ikë zyrtarëve policorë, por është ndaluar pas një ndjekjeje në zonë malore. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.




