Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit – Shemit, vokalistit emblematik të grupit legjendar “Ilirët” dhe njërit prej zërave më përfaqësues të rock-skenës kosovare të viteve ’80.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, Osmani theksoi se me pikëllim të thellë është pranuar lajmi për vdekjen e artistit, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që ai ka dhënë në muzikën shqiptare ndër dekada.
Ajo veçoi këngën “Xhamadani vija vija” si një krijim simbolik dhe të fuqishëm, që vazhdon të bashkojë emocione, histori dhe identitet kombëtar, ashtu siç bëri zëri i Shemit për breza të tërë.
“Në këto çaste të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë, bashkëpunëtorët dhe gjithë komunitetin artistik”, thuhet në mesazhin e presidentes.
Presidentja Osmani rikujtoi se dy vjet më parë, për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, Shemsi Krasniqi – Shemi dhe grupi “Ilirët” ishin nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave, duke theksuar se kujtimi dhe vepra e artistit do të jetojnë përmes muzikës që ai la trashëgimi brezave të ardhshëm.





