Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u takua me Zëvendës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, ku shprehu mirënjohje për mbështetjen e administratës Trump ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, për përkrahjen e anëtarësimit të saj në NATO dhe për rritjen e investimeve strategjike.
Presidentja diskutoi gjithashtu situatën e sigurisë në rajon, rëndësinë e Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA dhe përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, duke përfshirë heqjen e tarifave për produktet amerikane dhe harmonizimin me listën e organizatave terroriste të SHBA-së.
Osmani ngriti edhe çështjen e shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe falënderoi administratën amerikane për mbështetjen ndaj dialogut me Serbinë, duke përjashtuar idetë për ndryshime kufijsh ose ndarje. Ajo ritheksoi përkushtimin e Kosovës për të vazhduar ecjen përkrah SHBA-së si aleat i përhershëm.




