Pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës, protestuesit hodhën bomba molotov drejt kordonit të policisë dhe hyrjes së Kryeministrisë, të cilat u shuan shpejt nga forcat e sigurisë. Gjatë protestës pati edhe përplasje fizike mes protestuesve dhe efektivëve, në përpjekje për të thyer kordonët e policisë, por situata u mbajt nën kontroll.
Pas tensioneve, protestuesit nisën të shpërndahen nga Kryeministria dhe marshuan drejt Ministrisë së Brendshme. Më pas, Berisha, i shoqëruar nga truprojat dhe mbështetësit e tij, u ndal pranë Kuvendit, ku qëndroi për disa minuta në heshtje.
Berisha deklaroi se protestat do të vijojnë në tre pika kryesore, Kryeministri, Kuvendi dhe Surreli, duke i cilësuar si “qendra të krimit”, ndërsa theksoi se synimi mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama, pa dhënë një datë konkrete për protestat e radhës.




