Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, gjatë vizitës së saj zyrtare në Maqedoninë e Veriut, u takua me kryeministrin Hristijan Mickoski, me të cilin diskutoi forcimin e bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në ekonomi, investime dhe përgatitjet për takimin e ardhshëm ndërqeveritar G2G.
Spiropali theksoi se partneriteti mes dy vendeve do të vijojë të forcohet me projekte konkrete, ndërsa vlerësoi faktorin shqiptar në RMV si një komunitet shtetformues, urë lidhëse me Shqipërinë dhe nxitës të rëndësishëm të proceseve eurointegruese.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, ajo deklaroi se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, të cilët përbëjnë rreth 30 për qind të popullsisë, janë një faktor progresist dhe vendimtar për stabilitetin demokratik dhe orientimin euro-atlantik të vendit, duke ritheksuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.




