Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK) ka alarmuar se shumë biznese po përballen me ndërprerje të shpeshta dhe të paplanifikuara të energjisë elektrike, gjë që po shkakton rritje të kostove operative, humbje në prodhim dhe rrezikim të funksionimit të tyre.
Sipas DhTIK-së, situata është pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe daljes në treg të lirë, duke ndikuar negativisht në konkurrueshmërinë e sektorit privat. Dhoma i ka bërë thirrje autoriteteve të ndërmarrin veprime urgjente për të stabilizuar furnizimin me energji dhe për të garantuar kushte të qëndrueshme për bizneset dhe ruajtjen e vendeve të punës.
Ndërprerjet po ndodhin në disa komuna të Kosovës, vetëm pak ditë pas paralajmërimit të KOSTT-it për mundësinë e reduktimeve shkaku i mbingarkesës në rrjet.




