Sektori i Hetimeve të Departamentit për Kufi, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka arrestuar një shtetas jordanez dhe një shtetase turke, nën dyshimin për kryerje të veprës penale “Kontrabandim me migrantë”.
Sipas policisë, të dyshuarit dyshohen se kanë organizuar ardhjen e shtetasve të huaj, kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Azia, me qëllim hyrjen në Kosovë dhe më pas kontrabandimin e tyre drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Për më tepër, ekziston dyshimi se i dyshuari ka udhëhequr një grup të mirëorganizuar kriminal, i cili ka përfituar mjete të konsiderueshme financiare nga kjo veprimtari.
Gjatë kontrollit tek personi i dyshuar janë konfiskuar 53 pasaporta të shtetasve jordanezë.
Prokuroria kompetente ka vendosur që të dy të dyshuarit të dërgohen në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.




