Raporti i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) vlerëson se asnjë nga programet politike të partive kryesore në Kosovë nuk ofron një qasje të strukturuar, të matshme dhe gjithëpërfshirëse për qeverisjen e mirë dhe sundimin e ligjit.
Angazhimet e partive mbesin kryesisht deklarative, pa masa konkrete, mekanizma zbatimi, afate kohore dhe rezultate të pritshme.
Çështje kyçe si vettingu në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe integriteti në prokurimin publik mungojnë pothuajse plotësisht në programet politike, ndonëse përmenden shpesh në debate dhe fushata.
Sipas vlerësimit me 50 pikë, AAK renditet e para me 13 pikë, e ndjekur nga LDK me 11, LVV me 9 dhe PDK e fundit me 6 pikë, duke treguar se dallimet mes partive janë të vogla dhe asnjë program nuk ofron reforma të mirëfillta.




