Gjendja e rëndë shëndetësore e babait të Salih Mustafës ka nxitur reagime në Kosovë, pasi Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së deklaroi se Gjykata Speciale ia ka refuzuar atij kërkesën për ta vizituar babanë. OVL-UÇK e cilësoi vendimin si johuman dhe në kundërshtim me të drejtat e njeriut.
Megjithatë, Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk kanë konfirmuar zyrtarisht një refuzim të tillë. Në një përgjigje për Nacionalen, Specialja tha se korniza ligjore ua lejon të paraburgosurve të bëjnë kërkesa për vizita humanitare, por deri më tani nuk ka asnjë dosje publike që konfirmon se një kërkesë e tillë është paraqitur.
Rasti ka nxitur reagime politike, përfshirë edhe atë të Vlora Çitakut nga PDK-ja, e cila kritikoi ashpër Specialen dhe heshtjen e institucioneve vendore. Në të kaluarën, kërkesa të ngjashme për vizita humanitare u janë refuzuar edhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, çka ka shkaktuar kritika të vazhdueshme në opinionin publik.




