Një avion privat që transportonte shefin ushtarak të Libisë, Muhammad Ali Ahmad al-Haddad, dhe katër persona të tjerë u rrëzua të martën pas ngritjes nga Ankara, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë personave në bord, raporton AP, transmeton Gazeta Express.
Shefi ushtarak libian ndodhej në Ankara për bisedime të nivelit të lartë mbi forcimin e bashkëpunimit ushtarak midis Libisë dhe Turqisë dhe adresimin e çështjeve rajonale. Kryeministri libian, Abdul-Hamid Dbeibah, e konfirmoi vdekjen e gjeneralit dhe delegacionit në një deklaratë në Facebook, duke e quajtur aksidentin “humbje të madhe për Libinë”.
Sipas zyrtarëve libianë, kontakti me avionin u humb rreth 30 minuta pas ngritjes për shkak të një mosfunksionimi teknik. Al-Haddad ishte komandanti më i lartë ushtarak në Libinë perëndimore dhe luajti një rol vendimtar në përpjekjet e ndërmjetësuara nga OKB-ja për unifikimin e ushtrisë së ndarë të Libisë.
Autoritetet turke konfirmuan se janë gjetur rrënojat e avionit të biznesit të tipit Falcon 50, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit vazhdojnë.




