Viti 2025 po vlerësohet si një vit i humbur legjislativ për Kosovën, për shkak të paralizës institucionale dhe mosfunksionimit të Kuvendit. Pas shpërndarjes së legjislaturës së tetë në fund të vitit 2024 dhe zgjedhjeve të shkurtit 2025, Kuvendi nuk arriti të konstituohet deri në mes të tetorit, ndërsa gjatë gjithë vitit nuk u miratua asnjë ligj. Deputetët u mblodhën vetëm për përpjekje konstituimi, për votimin e mandatarëve për kryeministër dhe një seancë të jashtëzakonshme për buxhetin.
Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, kjo situatë ka bllokuar trajtimin e çështjeve jetike për shtetin, përfshirë marrëveshjet ndërkombëtare, buxhetet kyçe dhe reformat në drejtësi. Moszbatimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat në sektorin publik u cilësua si një nga dështimet më serioze. Shoqëria civile vlerëson se mungoi vullneti politik për debat parlamentar dhe adresim të të drejtave të njeriut, ndërsa proceset reformuese humbën momentum.
Ekspertët paralajmërojnë se pasojat politike, financiare dhe institucionale të vitit 2025 do të kërkojnë disa vite për t’u rikuperuar.




