Kandidatja për deputete e PDK-së dhe nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vdekjes së Jahja Mustafës, babait të Salih Mustafës, i cili po gjykohet në Gjykatën Speciale në Hagë.
Ajo theksoi se Jahja Mustafa ndërroi jetë pa pasur mundësinë që për herë të fundit t’ia shtrëngonte dorën dhe ta përqafonte të birin, pasi Salih Mustafës nuk iu lejua ta vizitonte babain e tij, edhe pse ky i fundit ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.
Çitaku e cilësoi këtë vendim si të padrejtë dhe çnjerëzor, duke theksuar se mohimi i një takimi të fundit mes prindit dhe fëmijës nuk përbën drejtësi.
Ajo kritikoi ashpër Gjykatën Speciale, duke e quajtur atë “gjykatë të turpshme” dhe duke nënvizuar se raste të tilla lënë pasoja të rënda morale dhe emocionale për familjarët.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur proceset ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së vazhdojnë të ngjallin debat të gjerë politik dhe publik në Kosovë.




