Policia suedeze po heton një incident serioz të ndodhur në qytetin verior të Bodenit, ku disa persona janë plagosur dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Sunderbyt.
Sipas gazetës Aftonbladet, dyshohet se ka ndodhur një krim i dhunshëm dhe autori i dyshuar është qëlluar nga policia. Zëdhënësi i policisë lokale konfirmoi se bëhet fjalë për një ngjarje të rëndë, pa dhënë detaje shtesë.
Një banor vendas ka raportuar prani të madhe të policisë dhe ambulancave në vendngjarje, si dhe ka pohuar se ka dëgjuar një shpërthim. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.




