Serbia po vazhdon ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor në Kosovë, duke ushtruar ndikim politik mbi përfaqësuesit serbë që marrin pjesë në zgjedhje.
Së fundmi, kjo ndërhyrje ka rezultuar me tërheqjen nga gara zgjedhore të një kandidati serb vetëm katër ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Bëhet fjalë për Sllagjan Nikolçeviqin nga Shtërpca, kandidat për deputet në listën e partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”.
Sinjalet për këtë zhvillim erdhën nga Beogradi, konkretisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili publikisht u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të votojnë Listën Serbe. Vuçiq ka theksuar se përfaqësuesit serbë duhet të jenë unikë dhe të veprojnë në përputhje me interesat e Serbisë.
Ky veprim konsiderohet si dëshmi e radhës e përpjekjeve të Serbisë për të ndikuar në proceset demokratike në Kosovë, duke cenuar lirinë e veprimit politik dhe vullnetin e lirë të votuesve serbë në vend.




