Byroja Kombëtare e Hetimit ka zhvilluar 19 kontrolle në dy kompani ndërtimi dhe në banesa të punonjësve dhe ish-zyrtarëve të Autoritetit të Rrugëve të Shqipërisë (ARRSH) dhe Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), si pjesë e hetimeve për zv.kryeministren Belinda Balluku dhe disa bashkëpunëtorë të saj.
Kontrollet kanë përfshirë drejtues dhe familjarë të kompanive të ndërtimit, si dhe ish-zyrtarë të lartë, përfshirë Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it, Gentian Gjyli, ish-drejtor i ARRSH-së, dhe Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it, të cilët ndodhen në arrest shtëpie.
Aksioni i BKH-së është kryer kryesisht nga agjentët e saj, pa përfshirjen e policisë së shtetit në disa kontrolle, duke u siguruar që të vijojë procesi hetimor për dosjen ku zv.kryeministrja Balluku është zyrtari më i lartë nën akuzë. SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut dhe lejen për arrestim.




