Gjykata Komerciale e Kosovës, Dhomat e Shkallës së Dytë, ka marrë vendim përfundimtar me të cilin e obligon Radio Televizionin e Kosovës (RTK) t’i paguajë shtëpisë prodhuese “Grand Media” mbi 790 mijë euro për shkak të shkëputjes së njëanshme dhe të kundërligjshme të kontratës për emisionin “Kush do të bëhet Milioner”.
Sipas aktgjykimit, RTK duhet të paguajë dëmshpërblim për ndërprerjen e kontratës, emisione të transmetuara por të papaguara, si dhe për emisione të prodhuara e të pa transmetuara, së bashku me shpenzimet procedurale dhe kamatë ligjore.
Gjykata konstatoi se RTK nuk ka respektuar kushtet kontraktuale dhe se arsyet financiare apo ligjore nuk e lirojnë nga përgjegjësia. Vendimi është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm, duke mbyllur një kontest shumëvjeçar dhe duke u konsideruar precedent i rëndësishëm për raportet kontraktuale të transmetuesit publik, raporton ekonomiaonline.




