Një delegacion prej gjashtë anëtarësh i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), i kryesuar nga Yunus Emre nga Turqia, do të qëndrojë në Kosovë nga 27 deri më 29 dhjetor për të vëzhguar zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Gjatë qëndrimit, delegacioni do të zhvillojë takime me udhëheqës dhe përfaqësues të partive kryesore politike, përfshirë ato që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, si dhe me përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, bashkësisë ndërkombëtare, organizatave joqeveritare dhe mediave.
Delegacioni i PACE do të vëzhgojë procesin e votimit më 28 dhjetor, ndërsa gjatë vizitës do të ketë mbështetje ligjore edhe nga një ekspert i Komisionit të Venedikut të Këshillit të Evropës.




