Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, njoftoi se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Kosovës po zhvillohet pa probleme. Votimi po mbahet në 29 përfaqësi diplomatike në 18 shtete. Sipas të dhënave nga 24 përfaqësi, deri në orën 13:00, nga 19,187 votues të regjistruar, kanë votuar 7,079 persona, apo rreth 36.89%.
Elezi sqaroi se sot mund të votojnë vetëm qytetarët e regjistruar për këtë mënyrë votimi dhe identifikimi lejohet edhe me dokumente të Republikës së Kosovës të skaduara, përfshirë letërnjoftime, pasaporta dhe leje vozitjeje. KQZ nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve jashtë vendit dhe funksionimin normal të procesit në të gjitha përfaqësitë diplomatike.




