Njohës të sigurisë dhe analistë politikë kanë vlerësuar shqetësuese veprimet e Serbisë për hapjen e konkurseve për punësim në institucionet paralele shëndetësore në Kosovë, duke theksuar se këto veprime kanë ndikim të drejtpërdrejtë zgjedhor dhe përbëjnë ndërhyrje në sistemin kushtetues të Kosovës.
Politologu Albinot Maloku ka deklaruar se këto konkurse kanë konotacion të fortë elektoral dhe synojnë mbështetjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke ushtruar presion juridik dhe kushtetues ndaj Kosovës.
Ndërkaq, eksperti i sigurisë Drizan Shala ka theksuar se veprimet e Beogradit janë sinjal i qartë për interferim të drejtpërdrejtë në proceset zgjedhore dhe në rendin kushtetues të vendit.
Analistët kërkojnë reagim të menjëhershëm të Bashkimit Evropian për të parandaluar ndërhyrjet e Serbisë dhe për të mbrojtur stabilitetin institucional dhe zgjedhor të Kosovës.





