Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar rreth 150 gigabajt material nga ish-Tribunali Penal për krimet në ish-Jugosllavi, si pjesë e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Sipas Kushtrim Garës nga komisioni, materialet ndihmojnë në analizimin e lokacioneve ku janë kryer më parë gërmime, përfshirë Rahovecin dhe Hajvalinë, ku mund të jenë ende mbetje mortore të personave të zhdukur gjatë luftës.
Ai shtoi se rikthimi në këto lokacione bëhet pas shqyrtimit të raporteve të mëparshme nga ekipet gjermane mjeko-ligjore, UNMIK dhe EULEX, për të siguruar gjetjen e mbetjeve që nuk janë zbuluar më parë. Në Rahovec, për shembull, edhe pas gërmimeve të vitit 1999, ekziston mundësia që të jenë të pranishme mbetje mortore të tetë viktimave të luftës, ndërsa në Hajvali kërkohet rikuperimi i mbetjeve të 7–8 personave të zhdukur. Ky hap është pjesë e përpjekjeve të komisionit për të vazhduar kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur pas luftës.




