Gjatë vitit 2025, në Kosovë janë kryer gërmime në 32 lokacione ku dyshohej për persona të zhdukur gjatë luftës. Nga këto, në 16 lokacione janë gjetur mbetje mortore, në 15 nuk u gjet asgjë, ndërsa një lokacion është vlerësuar jo i interesit, ka bërë të ditur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur gjatë prezantimit të raportit vjetor.
Kryetari i Komisionit, Andin Hoti, theksoi se sfidë kryesore mbetet mosbashkëpunimi i Serbisë, e cila refuzon të ofrojë informacione kredibile dhe të hapë arkivat që lidhen me varrezat masive. Ai shtoi se Serbia ka kundërshtuar raportimin e mospunës dhe ka tërhequr dakordimin për disa marrëveshje të Brukselit, duke kërkuar ndryshimin e termave të referencës për t’iu shmangur përgjegjësisë.
Një sfidë e veçantë ishte lokacioni Kozhle në Serbi, ku gërmimet u lejuan me vonesa dhe ndërprerje për shkak të deponisë mbi varrezën masive të dyshuar. Gërmimet në këtë vend janë ndërprerë përfundimisht këtë vit, pa datë të caktuar për rifillim. Komisioni pret që arkivat e klasifikuara serbe të hapen për të zbardhur fatin e 1,571 personave që ende figurojnë të zhdukur.




