Federata e Hendbollit e Kosovës ka organizuar ceremoninë festive “Laureatët 2025”, e cila u nderua me praninë e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu. Federata shprehu mirënjohje për pjesëmarrjen e Presidentes, duke e cilësuar atë si një nder të madh për sportin e hendbollit në vend.
Në këtë ceremoni, Tina Hetemi u shpall hendbollistja më e mirë në Kosovë për vitin 2025. Ajo po udhëheq Samadrexhën, që renditet e para pas stinorit vjeshtor, dhe është shndërruar në një lojtare kyçe të Kombëtares së Kosovës. Hetemi e vlerësoi çmimin si shumë domethënës, duke falënderuar familjen, klubin, trajnerin dhe bashkëlojtaret për mbështetjen dhe sukseset e përbashkëta.

Ndërkaq, Egzon Gjuka u shpall për herë të pestë rresht hendbollisti më i mirë i vitit, pas një sezoni të suksesshëm me Rahovecin, që u kurorëzua kampion, si dhe paraqitjeve të mira me Kombëtaren e Kosovës. Gjuka theksoi se ky sukses është rezultat i përkushtimit, disiplinës dhe punës së vazhdueshme, duke shprehur falënderime për familjen, klubin dhe bashkëlojtarët.





