Drejtori i Aleancës për të Ardhmen e Kosovës pa Duhan, Shkumbin Spahija, ka paralajmëruar se mungesa e një ligji që rregullon cigaret elektronike po shfrytëzohet nga tregtarët, të cilët sipas tij ua shesin këto produkte edhe të miturve, madje edhe nëpër shkolla.
Ai ka theksuar se cigaret elektronike përmbajnë substanca toksike, kanë potencial kancerogjen dhe shkaktojnë varësi të lartë, sidomos te fëmijët dhe të rinjtë, duke e quajtur mosadresimin e kësaj çështjeje dështim institucional. Spahija ka kritikuar edhe moszbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, duke thënë se pirja e duhanit në ambiente të mbyllura është bërë dukuri normale për shkak të mungesës së kontrolleve dhe monitorimit nga institucionet përgjegjëse.




