AC Milani po intensifikon përpjekjet për të rinovuar kontratën me portierin francez Mike Maignan, i cili ndodhet në vitin e fundit të marrëveshjes aktuale që skadon në fund të sezonit 2025/26. Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kuqezinjtë i kanë paraqitur Maignan një ofertë të përmirësuar prej rreth 7 milionë euro neto në sezon, përfshirë bonuset, çka do ta barazonte atë me Rafael Leaon si një nga lojtarët më të paguar të klubit.
Megjithatë, marrëveshja ende nuk është arritur, pasi kërkesa e Maignan thuhet se nis nga 7.5 milionë euro neto në sezon. Interesi nga klube të mëdha evropiane si Chelsea, PSG dhe Juventusi e ka shtuar presionin mbi Milanin. Pavarësisht kësaj, në klub mbizotëron optimizmi për një rinovim, ndërsa si alternativë po monitorohet edhe portieri i Corinthians dhe i kombëtares braziliane, Hugo Souza, në rast se negociatat dështojnë.




