Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, ka deklaruar se turizmi në Kosovë po shënon rritje vjetore nga 13 deri në 25 për qind, pavarësisht sfidave ekonomike dhe politike. Ai theksoi se sektori privat ka qenë shtylla kryesore e këtij zhvillimi, duke mbajtur gjallë turizmin përmes investimeve dhe promovimit.
Sogojeva vlerësoi rolin e festivaleve ndërkombëtare si Dokufest dhe festivali i Dua Lipës në rritjen e numrit të turistëve, ndërsa paralajmëroi për sfidat serioze me të cilat po përballen bizneset, përfshirë rritjen e çmimit të energjisë elektrike, TVSH-në e lartë prej 18 për qind dhe mungesën e kapaciteteve institucionale për promovimin e turizmit.
Ai kërkoi uljen e TVSH-së, bashkëpunim më të madh me komunat dhe krijimin e një agjencie kombëtare për turizëm, duke theksuar se këto masa janë të domosdoshme për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit turistik në Kosovë.




