Koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” (DnV) njofton se deri në orën 12:00 të dielën, 13.7% e qytetarëve me të drejtë vote kanë ushtruar të drejtën e tyre. Sipas vëzhgimeve në terren, procesi i votimit po zhvillohet kryesisht në mënyrë të qetë, por me disa parregullsi.
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, tha se pjesëmarrja është pak më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 9 shkurtit (14.5% deri në të njëjtën orë). Ai raportoi se në rreth 50% të vendvotimeve qytetarët janë paraqitur në qendra të gabuara dhe disa nuk kanë gjetur emrin e tyre në listat e votuesve.
Votimi me asistencë ka qenë i ulët (rreth 1%), ndërsa në deri në 16% të vendvotimeve janë përdorur dokumente të pavlefshme. Kryeziu shtoi se rastet e fotografimit të votës kanë rënë (13 raste deri në mesditë), por disa qendra kanë pasur ndërprerje të energjisë elektrike, të cilat janë zgjidhur shpejt.




