Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se procesi zgjedhor në Kosovë ka nisur kryesisht i qetë, por është shoqëruar me një sërë mangësish, përfshirë vonesa në hapjen e vendvotimeve, probleme me qasjen për personat me aftësi të kufizuara dhe mosrespektim të plotë të rregullave zgjedhore në disa zona.
Sipas DnV-së, rreth 3 për qind e vendvotimeve janë hapur me vonesë, kryesisht në rajonin e Pejës, për shkak të mungesës së komisionerëve. Po ashtu, 16 për qind e Qendrave të Votimit nuk kanë infrastrukturë adekuate për qasje të personave me aftësi të kufizuara, çka përbën shqetësim serioz për garantimin e të drejtës së votës.
Eugen Cakolli nga KDI bëri të ditur se DnV po e vëzhgon procesin me 500 vëzhgues në 500 vendvotime, duke monitoruar respektimin e procedurave, fshehtësinë e votës dhe qasjen e barabartë për të gjithë votuesit. Ai shtoi se janë vërejtur materiale propaganduese në afërsi të 3 për qind të Qendrave të Votimit, ndërsa Policia e Kosovës është e pranishme në 85 për qind të tyre.
DnV ka raportuar gjithashtu mungesë të posterëve informues në 8 për qind të Qendrave të Votimit dhe mungesë të tavolinave ndihmëse në 18 për qind të tyre, si dhe përfaqësim të ulët të grave në komisionet e vendvotimeve. Sipas DnV-së, nuk janë raportuar incidente serioze, përveç disa rasteve me mungesë të energjisë elektrike që kanë shkaktuar vonesa në fillimin e votimit.




