Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi votoi në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, u shpreh me shpresë që procesi zgjedhor të zhvillohet i qetë, demokratik dhe me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve.
Ajo theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për kthimin e vendimmarrjes te qytetarët dhe uroi që rezultatet të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, të nevojshme për proceset e brendshme dhe ndërkombëtare të vendit.
Osmani falënderoi institucionet për angazhimin në mbarëvajtjen e procesit dhe shprehu bindjen se pas zgjedhjeve partitë politike do të gjejnë një rrugë stabile përpara, ndërsa sa i përket çështjeve teknike, ajo tha se KQZ është duke i menaxhuar ato.




