Që nga orët e hershme të mëngjesit, në gjithë Kosovën ka nisur procesi zgjedhor, ku mbi dy milionë qytetarë kanë pasur të drejtë vote për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës.
Zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit kanë hyrë në histori për shkak të pjesëmarrjes së lartë të qytetarëve në vendvotimet brenda vendit. Sipas të dhënave nga procesimi i mbi 97.5 për qind të vendvotimeve, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar gjithsej 885,514 qytetarë, që përbën mbi 44 për qind të elektoratit me të drejtë vote.
Ndërkohë, në Komunën e Suharekës procesi i votimit ka përfunduar me një pjesëmarrje të konsiderueshme. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), nga ora 07:00 deri në 19:00 kanë votuar 31,853 qytetarë nga gjithsej 70,191 me të drejtë vote, që përfaqëson 45.38 për qind të elektoratit.
Ky numër përbën rekord të pjesëmarrjes së votuesve në Suharekë në zgjedhjet parlamentare. KQZ ka njoftuar se janë numëruar 87 nga gjithsej 89 kutitë e votimit në këtë komunë.




