Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor kanë kaluar pa ndonjë incident madhor. Këtë e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një njoftimi zyrtar për media.
Sipas Policisë, procesi zgjedhor është zhvilluar i qetë dhe pa incidente serioze që do të mund të cenonin apo pengonin mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Autoritetet e rendit vlerësojnë se siguria ka qenë në nivel të kënaqshëm gjatë gjithë ditës së votimit.
“Zbatimi i planit policor, bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional ka ndikuar në mënyrë pozitive që i tërë procesi zgjedhor të kalojë i qetë dhe pa ndonjë incident madhor që do të kishte penguar apo cenuar procesin zgjedhor”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka shtuar se do të vazhdojë të jetë e pranishme në terren edhe gjatë fazave të tjera të procesit zgjedhor, përfshirë numërimin e votave, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.




