Një stuhi e fuqishme dëbore ka shkaktuar ndërprerje të mëdha të trafikut gjatë një prej fundjavave më të ngarkuara të vitit në Nju Jork dhe në verilindje të Shteteve të Bashkuara. Sipas “Sky News”, autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Nju Jork dhe Nju Xhersej.
Moti i keq ka ndikuar ndjeshëm në udhëtimet për festat e Krishtlindjeve, me të paktën 9.000 fluturime të anuluara ose të vonuara që nga mbrëmja e së premtes, sipas të dhënave të shërbimit “FlightAware”.
Ndërkohë, aeroportet John F. Kennedy International, Newark Liberty International dhe LaGuardia kanë lëshuar alarme për dëborë në rrjetet sociale, duke paralajmëruar për ndërprerje të mëtejshme të fluturimeve për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.




