Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka vlerësuar se sektori privat i Kosovës është rënduar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike, duke shkaktuar ulje të prodhimit, reduktim të punëtorëve dhe largim të disa kompanive nga vendi. Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka theksuar se energjia mbetet sfidë edhe për vitin 2026 dhe ka kërkuar zbatim të vendimit të Gjykatës Supreme nga ZRRE-ja, si dhe angazhim më serioz të institucioneve për ekonominë.
Shahini njoftoi se ekonomia ka shënuar rritje prej 3.5%, por çmimet e produkteve të konsumit janë rritur mesatarisht 12–15%, ndërsa paga në sektorin privat është rritur 18%, duke mos kompensuar plotësisht shtrenjtimin. Ai theksoi se eksportet kanë pësuar rënie krahasuar me importet, ndërsa shporta e konsumatorëve është varfëruar mesatarisht 11%.
Drejtoresha e AKB-së, Lumnije Ajdini, bëri thirrje për një strategji kombëtare të eksportit, promovim të prodhimeve vendore dhe bashkëpunim më të ngushtë me institucionet për të përmirësuar klimën për biznes dhe investime. AKB nxit qeverinë e re të fokusohet në ekonominë e brendshme, stabilitet politik dhe siguri për investitorët vendorë dhe të huaj.




