Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur subjektin politik Lista Serbe, me seli në Mitrovicë të Veriut, me 45 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Vendimi është marrë pas ankesës së parashtruar nga subjekti politik Kosovski Savez, me seli në Leposaviq, e cila është vlerësuar si e bazuar nga PZAP.
Sipas vendimit, Lista Serbe është shpallur përgjegjëse për shkelje të Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, mbështetësit e tyre dhe kandidatët gjatë fushatës zgjedhore. Në arsyetimin e vendimit thuhet se për këto shkelje i është shqiptuar dënim me gjobë në vlerë prej 45 mijë euro.
PZAP ka njoftuar se Lista Serbe është e obliguar që gjobën ta paguajë brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së vendimit.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 28 dhjetor 2025, ndërsa PZAP ka trajtuar disa ankesa që lidhen me mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore dhe respektimin e rregullave nga subjektet politike.




