Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar gjithsej 28 ankesa nga partitë politike gjatë periudhës së fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në një përgjigje për Klan Kosova, PZAP ka bërë të ditur se ankesat lidhen me shkelje të ndryshme të rregullave zgjedhore.
Sipas panelit, shkeljet e raportuara përfshijnë shfrytëzimin e institucioneve dhe pozitave zyrtare për qëllime fushate, vendosjen e banerëve dhe posterëve në hapësira publike, përdorimin e pasurisë publike për fushatë, promovimin e punës së institucioneve me logo partiake në rrjetet sociale, pjesëmarrjen e fëmijëve në tubime zgjedhore, shpërndarjen e videove në rrjete sociale që ndikojnë tek votuesit jashtë Kosovës, si dhe përdorimin e gjuhës që nxit urrejtje.
Bazuar në të dhënat e PZAP-it, shkelja më e shpeshtë gjatë kësaj periudhe ka qenë vendosja e materialeve promovuese në hapësira publike. Po ashtu, paneli ka njoftuar se gjobat totale të shqiptuara ndaj subjekteve politike arrijnë në 162 mijë euro.




