Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se SHBA-të kanë realizuar një operacion të gjerë për kapjen e presidentit venezuelian Nicolas Maduro, duke e cilësuar atë si një sulm të paprecedent që nga Lufta e Dytë Botërore. Duke folur nga Mar-a-Lago, Trump tha se Shtetet e Bashkuara do të menaxhojnë situatën në Venezuelë deri në një tranzicion të sigurt dhe të mençur të pushtetit, pa dhënë një afat kohor.
Ai shtoi se Maduro dhe bashkëshortja e tij u larguan nga Venezuela me avion pas sulmit amerikan dhe se tashmë Maduro po dërgohet në Nju Jork. Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi ka bërë të ditur se ai është paditur në Distriktin Jugor të Nju Jorkut për akuza të rënda të narkoterrorizmit dhe se do të përballet me drejtësinë amerikane në SHBA.




