Viti 2026 pritet të jetë vendimtar për procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Dhomat e Specializuara kanë caktuar fjalët përfundimtare nga 9 deri më 18 shkurt, ndërsa trupi gjykues pritet ta marrë vendimin brenda tre muajve pas përfundimit të tyre.
Avokati i Fondit për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ka deklaruar se nuk e kishte pritur që procesi të zgjaste kaq shumë. Sipas tij, zgjatja është ndikuar kryesisht nga procedura paraprake që ka marrë rreth 28 muaj, si dhe nga numri i madh i dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria.
Alija theksoi se fillimisht ishin paraparë mbi 350 dëshmitarë, ndërsa gjatë shqyrtimit kryesor janë dëgjuar rreth 125, ku për secilin dëshmitar janë nevojitur mesatarisht dy deri në tri seanca, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në zvarritjen e procesit.




