Rezultatet preliminare nga Qendrat Komunale të Numërimit po e qartësojnë përbërjen e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, duke sjellë rritje të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ndryshime të mëdha në përfaqësimin e partive tjera.
Sipas të dhënave aktuale, LVV pritet të ketë 56 ulëse, PDK 23, LDK 15 dhe AAK 6 ulëse.
Shpërndarja përfundimtare mund të ndryshojë lehtë pas numërimit të votave të mbetura.
LVV shënon rritje nga 48 në 56 mandate, PDK bie nga 24 në 23, LDK pëson rënie të ndjeshme nga 20 në 15 ulëse, ndërsa AAK zbret nga 8 në 6 deputetë.
Nisma Socialdemokrate mbetet jashtë Kuvendit.
Në Kuvend pritet të hyjnë disa emra të rinj nga LVV-ja, si Andin Hoti, Alban Bajrami, Rufki Suma dhe Ardian Gola, ndërsa mungojnë disa deputetë të mandatit të kaluar.
Në PDK spikat Arian Tahiri si një nga më të votuarit, ndërsa LDK dhe AAK hyjnë me lista më të reduktuara, duke lënë jashtë figura të njohura politike.
Legjislatura e re pritet të ketë përbërje dukshëm të ndryshuar krahasuar me mandatin e kaluar, me më shumë prurje të reja dhe më pak figura tradicionale.




