Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë të ditur se gjatë gjithë procesit të Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025, janë paraqitur gjithsej 66 ankesa.
Sipas PZAP-së, ankesat janë dorëzuar kryesisht nga Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lista Serbe, Kosovski Savez, Za Slobodu Pravdu i Opstanak dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Ankesat kanë të bëjnë kryesisht me vendosjen e materialeve promovuese në hapësira publike, shfrytëzimin e resurseve publike, ndikimin në votues si dhe kundërshtimin e vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. PZAP thekson se të gjitha ankesat janë trajtuar në përputhje me ligjin, me synim garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe transparent.




