Procesi gjyqësor për sulmin terrorist në Banjskë ka hyrë në fazën përfundimtare dhe pritet që së shpejti të shpallet aktgjykimi. Gjatë këtij procesi kanë dëshmuar mbi dhjetë dëshmitarë, përfshirë zyrtarë të Policisë së Kosovës që ishin pjesë e njësisë së sulmuar më 24 shtator 2023.
Avokati i zyrtarit policor Alban Rashiti, Naim Rudari, ka deklaruar se ndonëse procesi është sfidues për shkak të mungesës së gjykimit në mungesë, ekzistojnë prova të mjaftueshme që të akuzuarit të dënohen edhe me burgim të përjetshëm. Ai ka njoftuar se janë paraqitur kallëzime penale ndaj disa dëshmitarëve për dëshmi të rreme dhe ndaj drejtuesve të hotelit “Rajska Banja”, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar grupin e armatosur pas sulmit.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 42 personave, me Milan Radoiçiqin si të akuzuar kryesor për udhëheqje të grupit terrorist. Aktualisht po gjykohen tre të akuzuar, të cilët kanë mohuar fajësinë.
Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare vlerëson se ka prova të mjaftueshme dhe se gjatë vitit 2026 pritet epilogu i shkallës së parë. Ndërkohë, Serbia ende nuk ka dorëzuar personat e tjerë të përfshirë në këtë sulm, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga Kosova dhe aleatët ndërkombëtarë.




