Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të përmbyllë sot tërheqjen e të gjitha fletëvotimeve nga kutitë postare jashtë Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Derisa shpallja e rezultateve përfundimtare ishte parashikuar më 19 janar, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se rezultatet mund të shpallen edhe më herët, pasi po përfundojnë numërimet e votave me postë, me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.
Sipas të dhënave preliminare, rreth 9,900 votues janë regjistruar për votim me kusht, ndërsa 2,860 për votim të personave me nevoja të veçanta. Fletëvotimet e arrira tashmë nga kutitë postare do të verifikohen dhe ato që aprovohen do të përfshihen në numërim.




