Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor, LuxDev, ka lansuar edicionin e dytë të LuxAid Demonstration Fund (LDF) për mbështetje të bizneseve inovative në Kosovë. Përmes këtij fondi, LuxDev do të ofrojë bashkëfinancim prej 100,000 deri në 350,000 euro për projekte inovative në dy fusha kryesore: inovacionin digjital dhe inovacionin e gjelbër.
Mbi 1 milion euro do të vihen në dispozicion për bizneset e përzgjedhura, me qëllim zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e konkurrueshmërisë, duke krijuar ndikim ekonomik dhe shoqëror të qëndrueshëm në Kosovë. Kompanitë që janë të regjistruara në Kosovë para 1 nëntorit 2022, punësojnë të paktën pesë persona dhe kanë të ardhura të dëshmuara mund të aplikojnë deri më 6 shkurt 2026.
Aplikantët do të mund të përfitojnë mentorim dhe mbështetje për realizimin e projekteve, me një proces përzgjedhjeje që do të përfundojë në korrik 2026. Dy sesione informuese do të mbahen më 21 dhe 28 janar 2026, ndërsa një webinar informues është parashikuar për 14 janar 2026.




