Një raport i brendshëm i KOSTT-it ka ngritur dyshime për manipulim të çmimeve të energjisë elektrike për Kosovën gjatë vitit 2025. Ekspertët e KOSTT-it konstatuan se kompanitë “Noa Energy Trade” dhe “Elektroprivreda Srbije”, pjesëmarrëse në ankandet e SEECAO për kapacitetet e transmetimit, dyshohet se kanë bashkëpunuar për të rritur artificialisht kostot e bartjes së energjisë elektrike.
Sipas raportit, në shumë ankande ditore, këto dy kompani ishin pjesëmarrësit e vetëm, duke çuar në çmime shumëfish më të larta se vetë çmimi i energjisë, deri mbi 200 euro për megavat/orë.
KOSTT rekomandon që ZRrE-ja të zhvillojë hetime të thelluara për të kuptuar ndikimin e këtij përqendrimi të tregut në faturat e konsumatorëve kosovarë.
“Elektroprivreda Srbije” është kompani shtetërore serbe me kapacitet prej 7,326 MW, ndërsa “Noa Energy Trade” ka monopol në importin e energjisë elektrike për Kosovën dhe sigurimin e linjave të transmisionit për KESCO-n. Raporti evidenton se bashkëpunimi i tyre mund të ketë rritur ndjeshëm kostot e energjisë për konsumatorët finalë.




