Ka përfunduar numërimi i votave të votuesve me nevoja të veçanta. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deri në orën 22:00 të 6 janarit janë numëruar të gjitha 37 kutitë e këtyre votave.
Rezultatet tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 36.96% të votave të personave me nevoja të veçanta, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 26.14%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 12.30% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.13%.
Ndërkohë, nga votat me kusht kanë mbetur më pak se 2% për t’u numëruar. Deri më tani, kur janë numëruar 56 nga 57 kutitë, rezultatet tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 50.69%, pasuar nga PDK me 19.78%, LDK me 10.67% dhe AAK me 5.89%.
Sipas të dhënave të KQZ-së, nga 57 vendvotime me kusht në 38 komuna, në sistem janë evidentuar mbi 9,900 votues të regjistruar për votim me kusht, ndërsa 2,860 votues kanë qenë të regjistruar në programin e votimit për personat me nevoja të veçanta.




