Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se procesi i numërimit të votave me postë po shkon drejt përfundimit. Aktualisht po numërohen votat e pjesës së dytë të votimit me postë, tërhequr më 2 dhe 5 janar, ndërsa pjesa më e madhe prej tyre tashmë është verifikuar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se ende nuk janë sjellë në Kosovë 3,185 pako me fletëvotime nga qendrat e votimit në Paris, Berlin, Hagë, Podgoricë dhe Ottawa, të cilat pritet të mbërrijnë në ditët në vijim. Ai shtoi se pas përfundimit të numërimit dhe respektimit të afatit ligjor për ankesat, KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, që mund të ndodhë më herët se data e parashikuar më 19 janar.




