Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq, ka shfaqur gatishmëri të heqë dorë nga posti i ministrit për Komunitete dhe Kthim për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit, nëse këtë ia lejon Gjykata Kushtetuese.
Lëvizja Vetëvendosje, që ka 57 ulëse në Kuvend, ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë kandidat nga Lista Serbe, duke favorizuar rizgjedhjen e Rashiq. Ky i fundit tha se pret vendimin e Gjykatës për të sqaruar nëse Lista Serbe ka të drejtë ekskluzive për të propozuar kandidat, dhe nëse jo, është i gatshëm të marrë këtë post për të siguruar përfaqësim adekuat të komunitetit serb.




