Pas reshjeve të dendura atmosferike të ditëve të fundit, Kompania e Ujësjellësit ka njoftuar se në të katër njësitë operative – Prizren, Suharekë, Malishevë dhe Dragash – është vërejtur një rritje e konsiderueshme e turbullirës në burimet e ujit të pijshëm. Situata ka ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë dhe sigurinë e furnizimit.
Në Prizren, gjendja e ujit po përmirësohet gradualisht, por niveli i turbullirës mbetet mbi standardet e lejuara, ndaj konsumatorët duhet të përdorin ujin vetëm për nevoja sanitare dhe jo për pije. Në Suharekë, furnizimi është kryesisht stabil, përveç disa fshatrave si Studençan dhe Doberdelan ku situata kërkon kujdes shtesë. Në Malishevë, edhe pse niveli i ujërave ka rënë, burimet mbeten të ndotura dhe po vazhdon puna për pastrimin e tyre. Njësia e Dragashit mbetet stabile dhe pa probleme.
Kompania bën apel që konsumatorët të respektojnë këto udhëzime për sigurinë e tyre dhe njofton se çdo ndryshim apo përmirësim do të bëhet i ditur menjëherë përmes kanaleve zyrtare.





