Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës – Drejtoria e Krimeve Ekonomike zhvilluan sot, 08 janar 2026, një aksion të gjerë në tërë Kosovën lidhur me keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Në këtë aksion janë arrestuar 39 persona dhe janë sekuestruar 1.300.886 euro në llogari bankare, 23.700 euro para kesh, ari, orë, aksesorë, dy armë zjarri, pajisje elektronike, kontrata dhe ujdi.
Hetimet kanë treguar se të pandehurit, duke përdorur dokumente të falsifikuara dhe transaksione fiktive, kanë shkaktuar dëm material prej 1.043.248 euro në BKS. Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i besimit”, “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.
Në aksion ishin të përfshirë 8 prokurorë dhe rreth 400 zyrtarë policorë. Të pandehurit ndodhen nën masën e ndalimit 48-orësh, ndërsa Prokuroria do të parashtroj kërkesë për masat e sigurisë për vazhdimin e procedurës. Prokuroria Themelore në Prizren konfirmon përkushtimin e saj në luftimin e këtyre veprave kundërligjore.




