Brendona Mujaj, një nga personat e përfshirë në aksionin e gjerë të Krimeve Ekonomike për keqpërdorime financiare në sektorin e sigurimeve, ka deklaruar para hetuesve se është psikologe e punësuar në një institucion privat dhe ka të ardhura mujore rreth 450 euro, duke theksuar gjendjen e saj të vështirë financiare. Ajo ka pohuar se nuk ka pasur më parë procedura penale dhe nuk ka qenë e përfshirë në raste të ngjashme.
Hetuesit e kanë pyetur lidhur me transfere financiare gjatë vitit 2023, në vlerë totale rreth 18 mijë euro, që dyshohet se kanë kaluar përmes një llogarie të lidhur me Byroën Kosovare të Sigurimeve. Mujaj ka sqaruar që nuk ka qenë palë e dëmtuar në aksidente dhe nuk ka kërkuar kompensime financiare gjatë këtij viti.
Hetimi vazhdon, me analizën e dokumentacionit financiar dhe lëvizjeve bankare, ndërsa priten veprime të tjera procedurale nga autoritetet, raporton gazeta Sinjali.




