Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë me dije se reshjet e fundit të shiut dhe borës kanë shkaktuar probleme në disa rrugë të Kosovës. Në rrugën Prishtinë–Ferizaj, grumbullimi i ujit për shkak të “kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike” ka bllokuar qarkullimin, por ekipet janë në terren dhe rruga pritet të hapet gjatë ditës.
Në nënkalimin e Mazgit, drejt autostradës, po ashtu ka grumbullim uji për shkak të bllokimit të kanalit atmosferik, ndërsa në autostradën ‘Ibrahim Rugova’ janë regjistruar rrëshqitje të dheut. Në Sllatinë, rruga Fushë Kosovë–Gjurgjicë po punohet për sanim emergjent, dhe në Zhur–Dragash, lëvizja e trupit të rrugës ka detyruar vendosjen e sinjalizimit, duke lejuar qarkullimin vetëm në një shirit.
Durmishi u bëri thirrje qytetarëve për mirëkuptim dhe shmangie të qarkullimit të panevojshëm deri në sanimin e plotë të problemeve, duke siguruar se punimet po zhvillohen intensivisht për rikthimin e normalitetit në rrugë.




