Evropa Veriore po përballet me mot ekstrem, me erëra me forcë uragani dhe stuhi të fuqishme, që kanë shkaktuar të paktën 13 viktima, ndërprerje të energjisë elektrike dhe kaos në transport.
Në Mbretërinë e Bashkuar, stuhia Goretti goditi Cornwall-in dhe pjesë të Uellsit me erëra deri në 160 km/orë. Dhjetëra mijëra familje mbetën pa energji, 50 fluturime u anuluan, dhe një burrë humbi jetën nga rrëzimi i një peme. Met Office paralajmëroi për rrezik nga bora dhe akulli, veçanërisht në Skoci dhe Anglinë Veriore.
Në Francë, rreth 320 mijë familje mbetën pa energji elektrike, me erëra deri në 216 km/orë që rrëzuan pemë dhe dëmtuan banesa, ndërsa shkollat dhe portet u mbyllën përkohësisht.
Gjermania Veriore përjetoi ndërprerje energjie dhe transporti u ndërpre për shkak të stuhisë Elli, me reshje të dendura bore dhe erëra të forta. Shkollat u mbyllën në disa qytete dhe trafiku hekurudhor u pezullua.
Probleme të rënda u raportuan edhe në Europën Qendrore dhe Lindore, përfshirë Çekinë dhe Rusinë, ku mbi 300 fluturime u anuluan. Autoritetet meteorologjike paralajmërojnë qytetarët të shmangin udhëtimet jo të domosdoshme për shkak të reshjeve të dendura dhe erërave të fuqishme.




